Friday, February 23, 2024

Dy zambakë

 

       Dy zambakë

 

Buzë pellgut dy zambakë,

Kanë nxjerrë gjuhët flakë.

U rri pranë dhe vështroj,

Si rrjedh uji që nga kroi,

Si merr poshtë për në lumë,

Duke ngritur zhurmë e shkumbë.

 

Por këtu ky pellg i qetë,

Fsheh zambakët nëpër fletë.

Puthur kupat nëpër bar,

Dy zambakë digjen zjarr.

Rrotull tyre vjen një bletë

E vështroj e dridhem vetë.

 

Qershor 2015

Monday, January 22, 2024

 

Piknik

 

Ky dimër, dëborë diku paska hedhur

Prandaj era ckinjet përjashta.

Im bir, në korije, ca shkarpa ka mbledhur

Dhe unë…një dorë bluazhga.

 

Një vatër e gjetëm diku midis pyllit,

U nisëm, për qejf, që pagdhirë,

Por kurrë si dihet ç’do gjesh në mes dimrit,

Dhe sikur qielli qelq të jet’ gdhirë.

 

Kusia e nxirë mbi flakët po qan,

Tek shpleks shkumbëzimin e tuftë.

Im bir me dy sytë të hapur filxhan,

Mes zjarrit sheh ëndrra me luftë.

 

Mbi male tërbohet një jetë e fjetur.

Në zjarr po harbon jetë tjetër.

Im bir argëtohet me ëndrrën e gjetur

Dhe unë…me kusinë e vjetër.

 


Dimër 2009   Dh Papando

Saturday, February 19, 2022

Vjeshte e vone

 

                      Vjeshtë e vonë

 

Fryn një frymë akujsh, fryn. Dridhet çurkëza në krua.

Disa fletë, si pa kuptim, kanë mbetur lart në ftua.

Eh! Kjo vjeshtë e nxituar, atje duket i harroi,

Një relike, a një brengë varur degëve tek ftoi.

 

I vështroj dhe qesh me vete: “Pse kjo vjeshtë prishka ligjet?”

Gjethekuqet lodërtare si një flakëzë që digjet,

Sipas tekave të erës që kalimthi i puth lehtë,

Dridhen, dridhen sikur thonë: “Jemi zjarr e s’jemi fletë.”

 

Fryn një erë akujsh, fryn. Dielli i vjetër fle mbi mua.

Gjeth’ i kuq si pa kuptim, paska mbetur lart në ftua.

Një thëllim përgjoj si shket fshehur-fshehur që nga retë,

Nëpër qiellin e mufatur gjer tek degëza me fletë.

 

Çurk' e çezmës ngriu prapë, ç’mu mblodh zemra nën setër.

…Gjyshja plakë thur çorapë, unë gërma shtrij në letër.

 

 

       2006

Villanelle - Mike e vegjelise

 

           Villanelle 

 

Buzët ngjyrë vishnjë apo faqet alle

Lule e vesuar, lule erëmirë

Mik’ e vegjëlisë dalë prej përralle.

 

Një det me kujtime, oqean me malle.

Ç'mu rëndua syri, oh me ëmbëlsirë.

Buzët ngjyrë vishnje apo faqet alle.

 

Selvi e selitur kur luan në valle.

Valle në mes shoqesh, ti je më e mire,

Mik' e vegjëlisë dalë prej përralle.

 

Hij’ e bukurisë së asaj qepalle.

Ç'të këndoj me parë, ç'të këndoj më mire,

Buzët ngjyrë vishnje apo faqet alle?

 

Dy herë më vdiqe, tre herë më ngjalle.

Gjallë apo vdekur s'di ç'është më mire.

Mik' e vegjëlisë dalë prej përralle.

 

Hapin të përtuar e vrapin të dlirë.

Flutur e rrëzuar zënë në rrëshirë.

Buzët ngjyrë vishnje apo faqet alle.

Mik' e vegjelisë dalë prej përralle.

 

2017 NY

Villanelle - Eh c'me zuri gjumi

 

 

                Villanelle

 

 

Eh, ç'më zuri gjumi përmbi supin tënd.

Rashë vashë, rashë, mbamë të mos bie.

Ah, ky sup i bukur, sa mirë m'u gjënd.

 

Syri i këputur, syri që m'u rënd,

Afër buzës sate, sa më paska hije.

Eh, ç'më zuri gjumi përmbi supin tënd!

 

Ku të shuaj zjarrin, ku të gjej një vënd?

Flokët përmbi ballë si gjerdan stolie.

Ah, ky sup i bukur sa mirë m'u gjënd.

 

Më more me qafë e më le pa mënd.

Faqen si burbuqe, dhëmbet si rubie.

Eh, ç'më zuri gjumi përmbi supin tënd.

 

Kur të kam ty pranë, s'pyes për askënd.

Qafën si biluri, buzët lëng qershije.

Ah, ky sup i bukur sa mirë m'u gjënd.

 

Shtatin e lëkundur, ecjen gjithë shije,

Zambak i selitur me hir bukurie.

Eh, ç'më zuri gjumi përmbi supin tënd.

Ah, ky sup i bukur sa mirë m'u gjënd.

 

2006

 

Trioleti i mikes

 

        Triolet i mikes

 

 

Të vështroj dhe them me vete,

Ti po digjesh nën këmishë.

Fërgëllon si ethe flete.

Të vështroj dhe them me vete,

Të kem shkuar shtatë dete,

Mik' e vogël do më grishë.

Të vështroj dhe them me vete,

Ti po digjesh nën këmishë.

 

2011

Triolet - U rrita nene

 


   U rrita

 

Lindi dielli, zbardhi drita,

Një bilbil po qan me lotë.

Nëpër brigje, ndër rakita,

Lindi dielli erdhi dita.

"U rrita nënë u rrita",

Këngës vasha po ja thotë.

Lindi dielli, zbardhi drita,

Një bilbil po qan me lotë.

 

2011

Trioleti i nenes

 

       Triolet i nënës

 

Një kujtim më dogji gjirin

Ndjeva lotë të më bien

Puthj' e nënës për të birin.

Një kujtim më dogji gjirin

E si shpuza, kur ndez hirin,

Flakë përmbi flakë ngrihen.

Një kujtim më dogji gjirin

Ndjeva lotë të më bien.

 

2011

Triolet - Te kadifenjte si petal

 


Të kadifenjtë si petal

 

Të kadifenjtë si petal

Buzën e mikes ndjeva sot

Duke më prekur dalngadal

Të kadifenjtë si petal

Dhe as një fjalë s’thashë dot

Ishte e ëmbël si një lot

Të kadifenjtë si petal

Buzën e mikes ndjeva sot.

 

2017

Triolet - Liqeni

 

           Liqeni


Ka marrë zjarr liqeni i qetë

E djeg shkëlqimin nën vete,

Me afsh që ngrihet gjer tek retë.

Ka marrë zjarr liqeni i qetë.

E zemr' e tij gulçon e nxehtë,

Si dashuri që djeg tre dete.

Ka marrë zjarr liqeni i qetë

E djeg shkëlqimin nën vete.

2011

Triolet - Kjo buza jote si korale

 

 

          

Kjo buza jote si korale

E syri yt, që ndrit si yll.

Floku, si shkumba majë vale.

Kjo buza jote si korale,

Ma kthen kumbimin e një fjale,

Këngë bilbili nëpër pyll.

Kjo buza jote si korale

E syri yt që ndrit si yll.

 

 

2011

Triolet - Gjethja

 

 

Një gjethe humbi nëpër  erë,

Duke rrëzuar dalngadalë;

Tutje, pas lumit ra në lerë. 

Një gjethe humbi nëpër erë.

Sepse u ndjeva aq i mjerë

E qava me rënkim të valë.

Një gjethe humbi nëpër erë.

Duke rrëzuar dalngadalë.

 

2011

 

 

Saturday, September 24, 2011

Xha Toli




Cigaren, xha Toli, e pi tek sofati.
Me llullë e pinte me parë, kaçak.
Por llulla do mbushur e s'sheh më i ngrati
E la si relike, diku, mbi oxhak.


Pa thonë, xha Toli kish zë shum' të bukur
Dhe zogjtë i ndillte me benxhon e tij.
Me dhëmbë e hante mustaqen e ndukur.
Qostekun e mbante të lar' në flori.


Tani zër' i dridhet e benxhua do ngrohur,
Mustaqet i varen si bishta prej fshese.
E prapë ja thotë: "Dikur kam pas njohur
Një greke të bukur të zhytur në vese. "



Sunday, April 24, 2011

Ecja nëpër pyll vesën duke pirë




Një mëngjes të ngohtë nëpër pyll kaloja,
Kokën varur gjoksit, rrugës tek vështroja
Lulëzat e kaltra në barin e gjelbër.
Pa qëllim shëtisja, si një dre i verbër.

Kisha lënë shtratin shpejt në mëngjes-herë,
Doja larg të isha prej njerzve të tjerë.
Vetëm të shëtisja, larg nga bot’ e gjallë,
Diçka që të gjeja, të më treste mallë.



Ecja nëpër pyll vesën duke pirë,
Prekja hala bredhi ngjitur në rrëshirë.
Përqeshja një lule, puthja një zog fushe,
Më shihte një flutur porsi ëngjëllushe.

Era përkëdhelte gjethezat e reja,
Një gugash i vogël qante tek foleja.
Dhe ja si papritur nëpër degë e gjethe,
Dielli më dha syrin, më futi në ethe.

Më ndezi vështrimin, më pushtoj të tërë,
Ndriti pem’ e lule...”Zot! Ti, ç’paske bërë?”
Filloj flas me veten ashtu i çuditur,
“S’paskam parë diellin, është ar i situr.”

Si lindi mes pyllit kjo stoli e rrallë?
Vërtet jam mbi dhé, apo në qiell vallë?
Apo ajri vetë kur shkëlqen i dehur,
Enkas na zbulon botën që mban fshehur.

Na gënjen me ledha me çfaqje deliresh
Që ashtu pa dashur të dhënë pas hiresh,
Të harrojmë brengën dhe mallin e vluar,
Të harrojmë dheun nga jemi larguar?



Nga libri me poezi "Yjet do trazoj"

Saturday, November 4, 2006


     Poezia është një lule e rrallë, shumë delikate, që mbin aty-këtu në fushën e begatë të artit, lulja më e bukur, më nazike, më lozonjarja, më buzëpërdredhura, më sqimatarja... Poezia nuk afron lehtë çdo njeri, sepse ajo kërkon devocion të plotë; kërkesat e saj janë shumë të larta. Ajo i jepet vetëm një dashurie poetike. Poezinë duhet ta duash gjatë, shumë gjatë dhe prapë... nuk e di a do të marrësh prej saj, atë që është magjike dhe që shtrihet si një linjë melodike midis vargjeve; pra thelbin, palcën, eliksirin e saj.

    Vëllimi poetik "Yjet do trazoj" është sinteza tridhjetvjecare e krijimtarisë sime; është një prezantim i dallgëve emocionale dhe refleksioneve që unë kam grumbulluar në gjeografinë aq të larmishme të jetës. Ky libër nuk pretendon të ezaurojë të gjitha tallazet shpirtërore, nëpër të cilat ka kaluar heroi im lirik, absolutisht jo. Në këtë libër unë jam munduar të qëmtoj më të ndritshmen, më të bukurën, më mbresëlënësen ndjenjë; jam përpjekur që nëpërmjet transformimit artistik të impresioneve të castit, të bie në marrëveshje dhe disa herë t'i bindem tërheqjes emotive të subkonshiencës. Nga ana tjetër, jam përpjekur të kthej në art dhe ta instaloj brenda kornizave të konshiencës cdo mëkat lirik, në mënyrë të tillë, që libri t'i përkasë një game sa më të gjërë publiku.
       Ky libër hap krahët e tij dhe përqafon butë, pa rrëmbim çdo dashamirës; djaloshin e dashuruar dhe nënën e dhemsur, fëmijën çapkën dhe gjyshen plakë. Më tej libri fluturon në dimensione të panjohura, në të cilat gjen “dy hëna”, dashuri të humbura, parajsa pa fund dhe pse jo edhe Zotat vetë. Libri fton muza, çjerr fantazma dhe puth zëmra lulesh…
       Libri mbyllet me një prozë poetike…për poezinë. Aty përpiqem të shtjelloj mprehtë dhe shkurt, mënyrën se si e shoh unë poezinë, si e këndoj dhe ndjej vargun e shkruar…



..................................................Dhimitraq Papando