Friday, February 23, 2024

Dy zambakë

 

       Dy zambakë

 

Buzë pellgut dy zambakë,

Kanë nxjerrë gjuhët flakë.

U rri pranë dhe vështroj,

Si rrjedh uji që nga kroi,

Si merr poshtë për në lumë,

Duke ngritur zhurmë e shkumbë.

 

Por këtu ky pellg i qetë,

Fsheh zambakët nëpër fletë.

Puthur kupat nëpër bar,

Dy zambakë digjen zjarr.

Rrotull tyre vjen një bletë

E vështroj e dridhem vetë.

 

Qershor 2015

Monday, January 22, 2024

 

Piknik

 

Ky dimër, dëborë diku paska hedhur

Prandaj era ckinjet përjashta.

Im bir, në korije, ca shkarpa ka mbledhur

Dhe unë…një dorë bluazhga.

 

Një vatër e gjetëm diku midis pyllit,

U nisëm, për qejf, që pagdhirë,

Por kurrë si dihet ç’do gjesh në mes dimrit,

Dhe sikur qielli qelq të jet’ gdhirë.

 

Kusia e nxirë mbi flakët po qan,

Tek shpleks shkumbëzimin e tuftë.

Im bir me dy sytë të hapur filxhan,

Mes zjarrit sheh ëndrra me luftë.

 

Mbi male tërbohet një jetë e fjetur.

Në zjarr po harbon jetë tjetër.

Im bir argëtohet me ëndrrën e gjetur

Dhe unë…me kusinë e vjetër.

 


Dimër 2009   Dh Papando