Saturday, September 24, 2011

Xha Toli




Cigaren, xha Toli, e pi tek sofati.
Me llullë e pinte me parë, kaçak.
Por llulla do mbushur e s'sheh më i ngrati
E la si relike, diku, mbi oxhak.


Pa thonë, xha Toli kish zë shum' të bukur
Dhe zogjtë i ndillte me benxhon e tij.
Me dhëmbë e hante mustaqen e ndukur.
Qostekun e mbante të lar' në flori.


Tani zër' i dridhet e benxhua do ngrohur,
Mustaqet i varen si bishta prej fshese.
E prapë ja thotë: "Dikur kam pas njohur
Një greke të bukur të zhytur në vese. "



Sunday, April 24, 2011

Ecja nëpër pyll vesën duke pirë




Një mëngjes të ngohtë nëpër pyll kaloja,
Kokën varur gjoksit, rrugës tek vështroja
Lulëzat e kaltra në barin e gjelbër.
Pa qëllim shëtisja, si një dre i verbër.

Kisha lënë shtratin shpejt në mëngjes-herë,
Doja larg të isha prej njerzve të tjerë.
Vetëm të shëtisja, larg nga bot’ e gjallë,
Diçka që të gjeja, të më treste mallë.



Ecja nëpër pyll vesën duke pirë,
Prekja hala bredhi ngjitur në rrëshirë.
Përqeshja një lule, puthja një zog fushe,
Më shihte një flutur porsi ëngjëllushe.

Era përkëdhelte gjethezat e reja,
Një gugash i vogël qante tek foleja.
Dhe ja si papritur nëpër degë e gjethe,
Dielli më dha syrin, më futi në ethe.

Më ndezi vështrimin, më pushtoj të tërë,
Ndriti pem’ e lule...”Zot! Ti, ç’paske bërë?”
Filloj flas me veten ashtu i çuditur,
“S’paskam parë diellin, është ar i situr.”

Si lindi mes pyllit kjo stoli e rrallë?
Vërtet jam mbi dhé, apo në qiell vallë?
Apo ajri vetë kur shkëlqen i dehur,
Enkas na zbulon botën që mban fshehur.

Na gënjen me ledha me çfaqje deliresh
Që ashtu pa dashur të dhënë pas hiresh,
Të harrojmë brengën dhe mallin e vluar,
Të harrojmë dheun nga jemi larguar?



Nga libri me poezi "Yjet do trazoj"