Saturday, February 19, 2022

Vjeshte e vone

 

                      Vjeshtë e vonë

 

Fryn një frymë akujsh, fryn. Dridhet çurkëza në krua.

Disa fletë, si pa kuptim, kanë mbetur lart në ftua.

Eh! Kjo vjeshtë e nxituar, atje duket i harroi,

Një relike, a një brengë varur degëve tek ftoi.

 

I vështroj dhe qesh me vete: “Pse kjo vjeshtë prishka ligjet?”

Gjethekuqet lodërtare si një flakëzë që digjet,

Sipas tekave të erës që kalimthi i puth lehtë,

Dridhen, dridhen sikur thonë: “Jemi zjarr e s’jemi fletë.”

 

Fryn një erë akujsh, fryn. Dielli i vjetër fle mbi mua.

Gjeth’ i kuq si pa kuptim, paska mbetur lart në ftua.

Një thëllim përgjoj si shket fshehur-fshehur që nga retë,

Nëpër qiellin e mufatur gjer tek degëza me fletë.

 

Çurk' e çezmës ngriu prapë, ç’mu mblodh zemra nën setër.

…Gjyshja plakë thur çorapë, unë gërma shtrij në letër.

 

 

       2006

No comments:

Post a Comment